“Vendet që po përpiqen të izolojnë Rusinë, kryesisht po dëmtojnë vetëm ekonomitë e tyre. Do të ishte thjesht e parealizueshme dhe e pamundur të izolohej Rusia dhe ata që aspirojnë ta bëjnë këtë do të dëmtonin më shumë veten”, -deklaroi presidenti rus Vladimir Putin gjatë fjalimit në seancën plenare të Forumit të Parë Ekonomik Euroaziatik, përcjell “Xinhua”.

Putin vuri në dukje se gjendja aktuale e ekonomisë globale tregon se pozicioni i Rusisë është i drejtë dhe i justifikuar, në krahasim me vendet që po përpiqen të ndjekin politika dritëshkurtër.

Ato ekonomi të përparuara po përjetojnë inflacionin e tyre më të keq në 40 vjet, si dhe papunësinë në rritje, tha Putin, duke shtuar se zinxhirët logjistikë po thyheshin dhe krizat globale po intensifikoheshin në fusha të tilla si ushqimi. "Kjo është një çështje serioze që po prek të gjithë sistemin e marrëdhënieve ekonomike dhe politike", -tha Putin.

Lideri rus tha se sanksionet dhe kufizimet, të cilat synojnë kryesisht të dobësojnë dhe të përmbajnë vendet që dëshirojnë të ndjekin politika të pavarura, janë përfundimisht të kota.

"Ka shumë vende që duan dhe do të ndjekin një politikë të pavarur dhe asnjë politikë botëror nuk do të jetë në gjendje ta ndalojë këtë proces global, nuk do të ketë fuqi të mjaftueshme për këtë dhe dëshira për ta bërë këtë do të zhduket për shkak të një sërë problemesh të brendshme në ato vende”, -tha Putin. (Irma)