Kushtet e stabilitetit financiar në Eurozonë janë përkeqësuar pasi konflikti midis Rusisë dhe Ukrainës ka çuar në rritjen e çmimeve dhe rrit rreziqet ndaj inflacionit dhe rritjes ekonomike, bëri të ditur Banka Qendrore Evropiane (BQE), citon “Xinhua”.

BQE paralajmëroi në një raport se dobësitë mund të rriten për shkak të pasigurive të konfliktit dhe ndryshimit të pritjeve për normalizimin e politikave në ekonomitë e përparuara.

“Konflikti në Ukrainë ka sjellë vuajtje të jashtëzakonshme njerëzore. Rreziqet e stabilitetit financiar janë rritur pasi konflikti ka ndikuar në të gjitha aspektet e aktivitetit ekonomik dhe kushtet e financimit”, -tha nënpresidenti i BQE-së, Luis de Guindos.

“Çmimet për mallrat dhe energjinë kanë mbetur të larta dhe të paqëndrueshme, gjë që ka shkaktuar njëfarë stresi në tregjet e derivateve për këto produkte. Disa aktive mbeten në rrezik korrigjimesh të mëtejshme nëse perspektiva e rritjes dobësohet më tej dhe/ose inflacioni rezulton të jetë dukshëm më i lartë se sa pritej”, -thuhet në një njoftim për shtyp të BQE-së.

Ndërkohë, korporatat jofinanciare të Eurozonës u vunë nën rrezikun e falimentimit, pasi rritet presioni i rritjes së çmimeve të inputeve dhe rritja e dobësuar ekonomike. BQE sugjeroi që një kuadër më efektiv i rezervave të kapitalit duhet të ndihmojë në rritjen e elasticitetit të sistemit financiar dhe bëri thirrje për forcimin e rregulloreve për të adresuar rreziqet në sektorin financiar jobankar. (Irma)