Vaksinat per femijet (Foto Witf)

Vaksinat per femijet (Foto Witf)

Komiteti i Përhershëm Gjerman për Vaksinimin (STIKO) në institutin “Robert Koch” (RKI) zgjati të martën rekomandimin e tij të përgjithshëm të vaksinimit kundër Covid 19 për fëmijët nga mosha 5 deri në 11 vjeç me vetëm një dozë vaksine. Rekomandimi zyrtar i komitetit është përditësuar si një masë paraprake, sepse një tjetër valë Covid-19 parashikohet të godasë Gjermaninë në vjeshtë ose dimër, thuhet në një deklaratë cituar nga “Xinhua”.

Shoqata Profesionale e Pediatërve të Gjermanisë (BVKJ) dhe shoqata të tjera shkencore e mirëpritën njoftimin. Rekomandimi i ri parashikon zhvillimin e mëtejshëm të pandemisë, thuhet në deklaratën e tyre të përbashkët. Deri më tani, vaksinimi kundër Covid-19 në këtë grupmoshë është rekomanduar vetëm për ata me kushte paraekzistuese ose për kontakte me rrezik të lartë. Njëzet e dy për qind e 5.3 milionë fëmijëve të moshës nga 5 deri në 11 vjeç në Gjermani janë vaksinuar tashmë të paktën një herë, sipas RKI. Në prill, Bundestagu gjerman (dhoma e ulët e Parlamentit) hodhi poshtë një propozim nga qeveria për ta bërë të detyrueshëm vaksinimin kundër Covid-19 për të rriturit e moshës 60 vjeç e lart.

Sipas të dhënave të RKI, 22.4 për qind e popullsisë në Gjermani mbetet e pavaksinuar. Nuk ka ende një vaksinë të licencuar në vend për fëmijët nën moshën katër vjeç.