Kancelari gjerman, Olaf Scholz, deklaroi se nuk do të ketë rrugë të shkurtra në përpjekjen e Ukrainës për t'u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Gjatë fjalimit të tij në Bundestag, Dhoma e Ulët e Parlamentit gjerman, Scholz tha se Komisioni Evropian pritet të përfundojë vlerësimin fillestar të aplikimit të Ukrainës për anëtarësim në BE deri në fund të qershorit, bën të ditur “Xinhua”.

Sipas tij, kjo nuk është e drejtë kundrejt vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ai tha se Mali i Zi, Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë njohur si vende kandidate prej 8 deri në 17 vjet.

Javën e kaluar, presidenti francez Emmanuel Macron gjithashtu uli shpresat e Ukrainës për një pranim të shpejtë në BE. "Ne të gjithë e dimë shumë mirë se procesi që do t'i lejonte ata të bashkoheshin do të zgjaste në realitet disa vite, dhe ka shumë të ngjarë disa dekada", -tha ai. Përpara takimit të jashtëzakonshëm të liderëve të BE-së në fund të majit, Scholz foli në favor të një fondi solidariteti evropian për rindërtimin e Ukrainës, prej kontributeve të BE-së dhe partnerëve ndërkombëtarë. Ai theksoi se BE-ja duhet të fillojë përgatitjet tani për të mbështetur Ukrainën në rrugën e saj evropiane. (Irma)