Shtetet e Bashkuara të Amerikës rihapën ambasadën në Ukrainë. Njoftimi u bë nga sekretari i Shtetit Antony Blinken, tre muaj pas pezullimit të punës, pas nisjes së operacionit special ushtarak të Rusisë, citon “Xinhua”.

"Tashmë po rifillojmë zyrtarisht punën në Ambasadën e SHBA në Kiev", -tha Blinken në një deklaratë të postuar në faqen e internetit të Departamentit amerikan të Shtetit.

Ai theksoi se SHBA do të vazhdojë të mbështesë qeverinë dhe popullin e Ukrainës, duke shtuar se Amerika ka marrë masa shtesë për të rritur sigurinë e kolegëve që po kthehen në Kiev dhe janë përmirësuar masat dhe protokollet e sigurisë.

Ambasada e SHBA-së në Ukrainë u mbyll më 14 shkurt, 10 ditë përpara se Rusia të niste operacionin special ushtarak në vend. Shtetet e Bashkuara filluan evakuimin e stafit të ambasadës së tyre më 12 shkurt. Personeli i Departamentit të Shtetit fillimisht u zhvendos në qytetin perëndimor të Ukrainës, Lviv, dhe më pas u largua nga vendi. (Irma)