Katër treguesit kryesorë të ndryshimit të klimës, duke përfshirë përqendrimet e gazeve serrë, rritjen e nivelit të detit, nxehtësinë e oqeanit dhe acidifikimin e oqeanit, vendosën rekorde të reja në vitin 2021, bëhet e ditur në një raport të Organizatës Botërore të Meteorologjisë (WMO), përcjell “Xinhua”.

Sipas raportit, shtatë vitet e fundit kanë qenë më të ngrohtit e regjistruar, me 2021 që është vetëm një nga shtatë më të ngrohtit, për shkak “La Nina” në fillim dhe në fund të vit, që pati një efekt ftohës të përkohshëm, por nuk ndryshoi trendin e përgjithshëm të rritjes së temperaturave.

Në raport thuhet se temperatura mesatare globale vitin e kaluar ishte rreth 1.11 gradë celsius mbi nivelin para-industrial.

Raporti i WMO bën të ditur se përqendrimet e gazit serrë arritën një nivel të ri global në vitin 2020 dhe vazhduan të rriten në 2021 dhe në fillim të 2022, pasi nxehtësia e oqeanit arriti rekord dhe acidifikimi i oqeanit po intensifikohej, gjë që kërcënon organizmat dhe shërbimet e ekosistemit, dhe si rrjedhim sigurinë ushqimore, turizmin dhe mbrojtjen e bregdetit.

Niveli mesatar global i detit gjithashtu arriti një rekord të ri në vitin 2021, me një normë prej më shumë se dyfishi se midis 1993 dhe 2002, kryesisht për shkak të humbjes së përshpejtuar të masës së akullit nga shtresat e akullit.

Rreziqe ekstreme meteorologjike si valët e jashtëzakonshme të të nxehtit, përmbytjet, thatësira dhe uraganet u ndezën në të gjithë globin, duke prekur ekosistemet dhe duke zhvendosur miliona popullsi.

Gjatë një fjalimi me video, shefi i OKB-së Antonio Guterres propozoi pesë veprime kritike për të nisur tranzicionin e energjisë së rinovueshme, duke përfshirë akses më të madh në teknologjinë dhe furnizimet e energjisë së rinovueshme, një trefishim të investimeve private dhe publike në burimet e rinovueshme dhe fundi i subvencioneve për lëndët djegëse fosile të cilat arrijnë në afërsisht 11 milionë dollarë amerikanë në minutë.

Sipas tij, bota duhet të veprojë në këtë dekadë për të parandaluar ndikimet gjithnjë e më të përkeqësuara të klimës dhe për të mbajtur rritjen e temperaturës nën 1.5 gradë celsius mbi nivelet para-industriale. (Irma)