Agjencia spanjolle e Sigurisë dhe Shpëtimit Detar (SASEMAR) shpëtoi 104 persona, përfshirë 10 fëmijë, kur zbuluan dy gomone në Oqeanin Atlantik, që përpiqeshin të kalonin nga bregu veriperëndimor i Afrikës në Ishujt Kanarie, përcjell “Xinhua”.

Një nga gomonet u zbulua 92 kilometra larg ishullit. Në të ishin 35 burra, nëntë gra dhe katër fëmijë, të gjithë me origjinë sub-Sahariane. Ata u shpëtuan nga anija patrulluese “Salvamar Macondo”.

Shpëtimi i dytë u krye nga anija “Guardamar Calliope”, në një gomone me 38 burra, 12 gra dhe gjashtë fëmijë, me origjinë sub-Sahariane, e zbuluar nga një aeroplan shpëtimi.

Shpëtimet e çuan numrin e përgjithshëm të emigrantëve që kanë arritur në Ishujt Kanarie me anije ose janë shpëtuar në ujërat përreth në pak më shumë se 7700, që është 52 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2021.

Rruga e emigrantëve nga bregu veriperëndimor i Afrikës për në Ishujt Kanarie konsiderohet të jetë një nga më të rrezikshmet në botë.

Raporti “E drejta për jetën” nga organizata bamirëse “Caminando Fronteras”, i publikuar në fillim të janarit, llogariti se të paktën 4016 persona kanë humbur jetën në vitin 2021 në përpjekje për të kaluar në Ishujt Kanarie, ndonëse mendohet se numri mund të jetë më i lartë. (Irma)