Një dërgesë furnizimesh humanitare, të siguruara nga Fondi i Asistencës për Bashkëpunimin Jug-Jug të Kinës në bashkëpunim me Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR), u shpërndanë të hënën në Afganistan.

Në ceremoninë e shpërndarjes në kryeqytetin afgan, Kabul, këshilltari Ekonomik dhe Tregtar i ambasadës kineze në Afganistan, Hu Guo'ai, tha se Kina dhe Afganistani janë fqinjë miqësorë të lidhur me male dhe lumenj, me shkëmbime midis dy vendeve që datojnë më shumë se 1000 vjet më parë, citon “Xinhua”. Qeveria kineze ka qenë shumë e shqetësuar për popullin afgan që po vuan nga një krizë humanitare dhe vazhdimisht u ka ofruar atyre ndihma në ushqime, veshmbathje, vaksina, tenda dhe ilaçe. Fondi i Asistencës për Bashkëpunimin Jug-Jug të Kinës siguroi fonde për blerjen e furnizimeve me ndihma emergjente dhe mbështetjen e arsimit lokal për grupet vulnerabël në Afganistan. Sipas Hu, ndihmat e shpërndara nga UNHCR përfshijnë enë gatimi, batanije dhe rezervuarë gazi dhe janë shpërndarë në të gjithë Afganistanin.

Kreu i Departamentit të Arsimit të Kabulit shprehu mirënjohjen e tij të sinqertë për Kinën për ndihmën e saj afatgjatë në Afganistan.

Rreth 19.7 milionë afganë po përballen me urinë akute, sipas një analize të kryer në janar dhe shkurt nga partnerët e grupit të Sigurisë Ushqimore dhe Bujqësisë, duke përfshirë Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO), Programin Botëror të Ushqimit të Kombeve të Bashkuara (WFP) dhe organizata joqeveritare.