foto nga VCG

foto nga VCG

Të dhënat e OBSh-së tregojnë se rastet globale të COVID-19 janë vazhdimisht në rënie, me vdekjet javore të raportuara në nivelin më të ulët që nga marsi 2020.

Ekspertët nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) theksuan të mërkurën se vaksinat janë ende shumë efektive kundër COVID-19, edhe ndaj varianteve të reja të sëmundjes të shfaqura në Afrikën e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara.

Të dhënat e OBSh-së tregojnë se rastet globale të COVID-19 janë vazhdimisht në rënie, teksa vdekjet javore të raportuara janë në nivelin më të ulët që nga marsi 2020. Megjithatë, drejtori i përgjithshëm i OBSh-së Tedros Adhanom Ghebreyesus paralajmëroi në një konferencë shtypi të mërkurën se këto prirje nuk tregojnë pamjen e plotë.

"Me nxitjen nga nënvariantet e ‘Omicron’-it, po shohim një rritje të rasteve të raportuara në Amerikat dhe Afrikë. Shkencëtarët afrikanojugorë që identifikuan ‘Omicron’-in në fund të vitit të kaluar, kanë raportuar tani dy nënvariante të tjera të ‘Omicron’-it, BA.4 dhe BA.5, si arsye për një rritje të rasteve në Afrikën e Jugut,” tha ai.

“Është shumë herët për të ditur nëse këto nënvariante të reja mund të shkaktojnë raste më të rënda sëmundjeje sesa nënvariantet e tjera të ‘Omicron’-it, por të dhënat e hershme sugjerojnë se vaksinimi mbetet mbrojtës kundër sëmurjes së rëndë dhe vdekjes”.

Maria van Kerkhove nga Programi i Emergjencave Shëndetësore i OBSh-së thotë që BA.4 e BA.5 janë zbuluar në një numër vendesh dhe se OBSh-ja është ende duke vlerësuar se sa serioze janë dy variantet e reja.

Van Kerkhove shtoi që nuk është ende e mundur të konfirmohet nëse BA.4 dhe BA.5 kanë çuar në shtim të shtrimeve në spital, pasi kjo mund të ketë ardhur për shkak të shtimit të përgjithshëm të numrit të rasteve në Afrikën e Jugut. Megjithatë, ajo theksoi se "vaksinat ende veprojnë jashtëzakonisht mirë kundër parandalimit të rasteve të rënda të sëmundjes dhe vdekjeve."

Ajo bëri gjithashtu thirrje që të vijojë monitorimi dhe testimi për COVID-19, për t'i mundësuar OBSh-së t'i ofrojë publikut informacionin e këshillat më të sakta të mundshme.