
Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov dhe sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres ranë dakord të martën për nevojën për të vazhduar procesin e negociatave dhe për të kërkuar një zgjidhje diplomatike për krizën ukrainase, njofton “Xinhua”.
"Ne qëndrojmë në favor të një zgjidhjeje të negociuar", -tha Lavrov gjatë një konference të përbashkët shtypi me Guterres, pas bisedimeve të tyre në Moskë, duke vënë në dukje se Rusia ra dakord të fillonte negociatat në fillim të marsit menjëherë pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kishte propozuar.
Lavrov shprehu zhgënjim me qëndrimin e palës ukrainase ndaj bisedimeve të paqes, duke thënë se nuk është veçanërisht e interesuar për këto negociata.
Ai i kërkoi Kievit zyrtar që t'u përgjigjet shpejt propozimeve të Rusisë dhe paralajmëroi se negociatat nuk do të japin rezultat nëse Perëndimi vazhdon t'i japë Ukrainës armë.
"Unë erdha në Moskë si një lajmëtar i paqes. Objektivi im dhe axhenda ime janë të lidhura ngushtë me shpëtimin e jetëve”, -tha Guterres, duke i quajtur diskutimet e tij me Lavrov si "shumë të sinqerta".
“Është bindja ime e thellë se sa më shpejt ta përfundojmë këtë luftë, aq më mirë do të jetë për popullin e Ukrainës dhe për popullin e Rusisë”, -shtoi ai.







