
Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Australia njoftuan se do të bashkëpunojnë në zhvillimin e raketave hipersonike.
Në një deklaratë të përbashkët të lëshuar pas kryerjes së një rishikimi të bashkëpunimit trepalësh të mbrojtjes, presidenti i SHBA-së, Joe Biden, kryeministri britanik Boris Johnson dhe ai australian Scott Morrison angazhohen për të filluar bashkëpunimin e ri trepalësh si dhe për të zgjeruar shkëmbimin e informacionit dhe për të thelluar bashkëpunimin në inovacionin e mbrojtjes, bën të ditur “Xinhua”.
Liderët e tre vendeve, të cilët formuan një aleancë sigurie të njohur si AUKUS në shtator 2021, thanë se fushat e reja të njoftuara të bashkëpunimit do të shtojnë përpjekjet ekzistuese për të thelluar bashkëpunimin në aftësitë kibernetike, inteligjencën artificiale, teknologjitë kuantike dhe aftësitë shtesë nënujore.
Kur të tre vendet njoftuan krijimin e AUKUS-it, sipas të cilit Shtetet e Bashkuara dhe Britania premtuan të armatosnin Australinë me nëndetëse me energji bërthamore, Franca e konsideroi atë "një goditje pas shpine", sepse Canberra zyrtare braktisi papritur një marrëveshje për nëndetëset me fuqi konvencionale me Francën pa njoftim paraprak.
Përveç kësaj, AUKUS krijoi gjithashtu frikë për garën e armëve midis fuqive të mëdha që do të destabilizojnë rajonin e Azisë Juglindore.







