
Më shumë se 1800 gazetarë dhe punonjës të medias janë vrarë në mbarë botën në 27 vitet e fundit, ku shumica ranë pre e luftës, konfliktit, grupeve terroriste dhe bandave të krimit të organizuar. Të dhënat e mbledhura nga burime të ndryshme nga “Anadolu Agency” tregojnë se të paktën 1814 gazetarë u vranë midis viteve 1995 dhe 2022.
Sipas të dhënave, më shumë se 50 për qind e të gjithë gazetarëve dhe stafit të medias të vrarë që nga viti 1995 kanë humbur jetën në zona lufte dhe konflikti ose në zona ku ishin aktive grupet terroriste ose bandat e krimit të organizuar.
Meksika renditet si vendi më i rrezikshëm për gazetarët dhe punonjësit e medias, me 143 gazetarë, përfshirë 11 femra, të vrarë midis viteve 2000 dhe 2021.
Sipas raportit të Indeksit Global të Mosndëshkimit 2021, të përgatitur nga Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve, Somalia është vendi numër një në botë për vrasjet e pazgjidhura të gazetarëve, e ndjekur nga Siria, Iraku, Sudani i Jugut, Afganistani, Meksika, Filipinet, Brazili, Pakistani, Rusia, Bangladeshi dhe India.







