
Më shumë se 519 fëmijë irakianë janë vrarë ose gjymtuar gjatë 5 viteve të fundit nga mbetjet shpërthyese, transmeton “Anadolu Agency”.
"Gjatë pesë viteve të fundit, 519 fëmijë janë vrarë ose gjymtuar në Irak për shkak të mjeteve shpërthyese", -thuhet në deklaratën e UNICEF-it me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Ndërgjegjësimit ndaj Minave, të lëshuar së bashku me Shërbimin e Veprimit ndaj Minave të Kombeve të Bashkuara (UNMAS).
Deklarata thekson se më shumë se 80 për qind e fëmijëve të prekur janë djem, për shkak të incidenteve të punës së fëmijëve, të tilla si kullotja e kafshëve ose mbledhja e hekurishteve për t'u shitur.
“Fëmijët janë veçanërisht të prekshëm, të tërhequr nga mbetjet për pamjen e tyre plot ngjyra dhe të pavetëdijshëm se sa të rrezikshme janë ato. Disa nga këto armë janë objekte shtëpiake të njohura që janë kthyer në eksploziv”, -thuhet në deklaratë.
UNICEF dhe UNMAS u kërkuan qeverive të shmangin përdorimin e armëve shpërthyese në zonat e populluara dhe të flasin për mbrojtjen e fëmijëve dhe civilëve në mbarë botën nga kërcënimi i mjeteve shpërthyese.
Ata paralajmëruan se megjithëse Iraku nuk ka vuajtur nga konflikte të hapura vitet e fundit, efektet e armëve shpërthyese do të jehojnë në vitet në vijim.







