
Më shumë se dy vjet pas fillimit të pandemisë, shumica e kufizimeve kanë përfunduar në shumë zona të Gjermanisë. Pavarësisht numrit të lartë të infeksioneve, një ligj i ri, i hyrë në fuqi më 3 prill, parashikon vetëm disa masa të përgjithshme mbrojtëse.
Pothuajse në të gjitha landet hiqet detyrimi për mbajtjen e maskave në institucionet shëndetësore, në shtëpitë e të moshuarve, klinika dhe transport publik, por edhe mund të kërkohet në varësi të situatës. Gjithashtu mund të kërkohen teste nëpër shkolla. Maskat janë ende të detyrueshme në trena dhe avionë, shkruan “Deutsche Welle”.
Pas ndryshimit të ligjit për Mbrojtjen nga Infeksioni, shumë kushte janë hequr. Nuk do të kërkohet më certifikata e vaksinimit, shërimit apo teste për t’u futur në dyqane, restorante, objekte kulturore apo objekte të tjera dhe manifestime.
Por pavarësisht këtyre rregullave, kompanitë, dyqanet dhe objektet e tjera mund të vazhdojnë të kërkojnë mbajtjen e maskave.
Qeveria federale e justifikon nxjerrjen e ligjit të ri me faktin që sistemi shëndetësor është në gjendje të mirë dhe nuk ka probleme me funksionimin normal të institucioneve shëndetësore. Por ligji parashikon mundësinë e rikthimit të masave në vendet ku përkeqësohet gjendja.
Deri tani vetëm dy lande kanë vendosur të vazhdojnë masat e deritanishme, Hamburgu dhe Mecklenburg-Pomerani. Këto dy lande kanë vendosur që të mbajnë masat për shkak të numrit të madh të infektimeve.
Ligji mund të rishikohet me datën 23 shtator, gjatë periudhës së vjeshtës, kur mund të ketë përkeqësim të gjendjes.







