takimi rusi ukraine, turqi, xinhua

takimi rusi ukraine, turqi, xinhua

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin, ranë dakord për të mbajtur raundin tjetër të negociatave Rusi-Ukrainë në Stamboll të Turqisë, njoftoi presidenca turke, citon “Xinhua”.

Të dy liderët patën një bisedë telefonike të dielën dhe diskutuan situatën e fundit në konfliktin Rusi-Ukrainë dhe procesin e negociatave, bëhet e ditur në deklaratën e Presidencës turke.

“Të dy udhëheqësit ranë dakord që takimi i ardhshëm i ekipeve negociuese të Rusisë dhe Ukrainës do të mbahet në Stamboll. Gjatë bisedës, Erdogan i tha Putinit se një armëpushim dhe paqja midis Rusisë dhe Ukrainës duhet të arrihet sa më shpejt që të jetë e mundur dhe duhet të përmirësohet situata humanitare në rajon, duke shtuar se Turqia do të vazhdojë të kontribuojë në çdo mënyrë të mundshme gjatë këtij procesi”, -thuhet në deklaratë.

Delegacionet ukrainase dhe ruse kanë mbajtur tre raunde të bisedimeve të paqes personalisht në Bjellorusi që nga 28 shkurti, dhe i katërti filloi më 14 mars në një format video-konference.

Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov dhe homologu i tij ukrainas, Dmytro Kuleba, u takuan në një qytet turistik të provincës jugore të Turqisë, Antalia, më 10 mars. Këto ishin bisedimet e para të nivelit të lartë midis Moskës dhe Kievit zyrtar, që nga nisja e konfliktit më 24 shkurt.