Zyrtarët e OPEC-ut besojnë se një ndalim i mundshëm i BE-së për naftën nga partneri i saj Rusia do të dëmtonte konsumatorët dhe grupi i ka përcjellë shqetësimet e tij në Bruksel, thanë burimet e OPEC-ut, citon “Reuters”.

BE-ja, e cila mbështetet shumë në naftën e papërpunuar ruse, ka vendosur tashmë sanksione të ashpra ndaj Rusisë, duke përfshirë ngrirjen e aseteve të bankës së saj qendrore.

Zyrtarët e OPEC-ut, duke përfshirë shefin e organizatës, Mohammad Barkindo, takuan komisioneren e BE-së për Energjinë Kadri Simson më 16 mars për të diskutuar vështirësitë për tregun e energjisë, bëri të ditur Simson në “Twitter”.

Një nga burimet e OPEC tha se shqetësimet e grupit iu bënë të qarta BE-së. “Ata janë shumë mirë të informuar”, tha burimi, duke refuzuar të identifikohet. I pyetur mbi takimin e 16 marsit, një zyrtar i BE-së tha: “OPEC prezantoi analizën e tij për situatën e tregut të naftës dhe na informoi për planet e tyre për sa i përket prodhimit të naftës. Siç kemi thënë vazhdimisht, asgjë nuk është jashtë tryezës për sa i përket sanksioneve të ardhshme”.

Çmimet e naftës janë rritur në nivelet e tyre më të larta që nga viti 2008 për shkak të shqetësimeve për furnizimin pas konfliktit aktual, duke rritur çmimet e karburantit për konsumatorët që tashmë po përballeshin me inflacion më të lartë ndërsa ekonomitë rimëkëmbeshin nga pandemia COVID-19.

Rusia është një aleat i Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës dhe bashkëkryeson grupin e prodhuesve OPEC+, i cili që nga viti 2017 ka bashkëpunuar në furnizimin me naftë për të mbështetur tregjet e naftës. (Irma)