Foto: VCG

Foto: VCG

Rritja e jetëgjatësisë mesatare falë përparimit mjekësor dhe përmirësimit të standardeve të jetesës ka çuar në rënie të shkallës së vdekjeve në nivel global. Kjo, e shoqëruar me rënien e nivelit të lindjeve, ka çuar në një rritje të popullsisë në plakje, bën të ditur “Anadolu Agency”.

Nëse të moshuarit përbëjnë më shumë se 10 për qind të popullsisë së përgjithshme, kjo konsiderohet si shenjë e popullsisë në plakje.

Përafërsisht, një miliard e popullsisë së botës është 60 vjeç e lart, kurse plakja e popullsisë ndikon më shumë në sistemet e sigurimeve shoqërore dhe ekonomitë e vendeve.

Popullsia e botës, e cila është rritur me shpejtësi në dekadat e fundit, ishte 6 miliardë në vitin 1999, arriti në 7 miliardë më 2011-n dhe këtë vit popullsia e botës i kaloi 7.9 miliardë, sipas të dhënave të OKB-së.

Në total, 59.33 për qind e popullsisë së botës jeton në Azi, 17.51 për qind në Afrikë, 9.77 për qind në Evropë, 8.37 për qind në Amerikën e Jugut, 4.73 për qind në Amerikën e Veriut dhe 0.56 për qind në Oqeani.

Sipas të dhënave të "Statista" për vitin 2021, Evropa kryeson në përqindjen e popullsisë së moshuar me 19 për qind, e ndjekur nga Amerika e Veriut me 17 për qind, Oqeania me 13 për qind dhe Azia dhe Amerika e Jugut me 9 për qind secila.

Afrika, e cila ka jetëgjatësinë mesatare më të ulët, ka edhe shkallën më të ulët të popullsisë së moshuar me vetëm 4 për qind.

Ndërkohë, Gjermania është vendi që kontribuon më shumë në popullsinë e moshuar të Evropës me 17.78 milionë, e ndjekur nga Italia me 13.76 milionë, Franca me 13.16 milionë dhe Britania e Madhe me 12.24 milionë.

Sipas OKB-së, jetëgjatësia u rrit nga 46 në 68 vjet midis viteve 1950 dhe 2010, ndërkaq, kjo normë u rrit në 73.2 në vitin 2020.

Në vitin 2021, 26 për qind e popullsisë së botës ishte 15 vjeç e poshtë, ndërsa 10 për qind ishte 65 vjeç e lart, sipas “Statista”.