
Foto: VCG
Bota ka humbur 420 milionë hektarë pyll, një zonë më e madhe se India, që nga viti 1990 dhe shpyllëzimi vazhdon me rreth 10 milionë hektarë në vit (mesatarja 2015-2020), afërsisht sa madhësia e Islandës, kryesisht për shkak të aktivitetit bujqësor, bën të ditur Organizata e OKB-së për Bujqësinë dhe Ushqimin (FAO).
Në Ditën Ndërkombëtare të Pyjeve, OKB u bën thirrje liderëve të botës të zbatojnë Deklaratën e Glasgout për të ndaluar shpyllëzimin deri në vitin 2030, raporton “Ansa”.
“Është koha për të parë veprime të prekshme dhe të besueshme. Kjo do të thotë t'u jepet fund modeleve të paqëndrueshme të konsumit dhe prodhimit që rrezikojnë pyjet tona”, -nënvizon sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.
Më shumë se gjysma e pyjeve të botës gjenden në Rusi, Brazil, Kanada, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kongo dhe Kinë. Dy pyjet më të mëdhenj të shiut në botë konsiderohen ato të Amazonës dhe Republikës Demokratike të Kongos.
Sektori i pyjeve krijon vende pune për të paktën 33 milionë njerëz dhe produktet pyjore përdoren nga miliarda njerëz. Më shumë se gjysma e PBB-së botërore vlerësohet të varet nga shërbimet e ekosistemit, duke përfshirë ato të ofruara nga pyjet, dhe më shumë se gjysma e popullsisë totale të botës përdor produkte pyjore përveç drurit për të mbështetur mirëqenien dhe jetesën e tyre.







