
Evropa regjistroi rritjen më të madhe të importit të armëve në periudhën 2017-2021 krahasuar me periudhën e mëparshme pesëvjeçare në sfondin e një rënieje të përgjithshme të tregtisë globale të armëve, transmeton “Anadolu Agency”.
Importet e armëve nga vendet evropiane u rritën me 19 për qind midis viteve 2012-2016 dhe 2017-2021, duke përbërë 13 për qind të transfertave globale të armëve, të cilat treguan një rënie të përgjithshme prej 4.6 për qind në të njëjtën periudhë, thuhet në raportin e Institutit të Stokholmit për Kërkimet Ndërkombëtare të Paqes (SIPRI).
"Përkeqësimi i thellë i marrëdhënieve midis shumicës së shteteve evropiane dhe Rusisë ishte një shtytës i rëndësishëm i rritjes në importet evropiane të armëve, veçanërisht për shtetet që nuk mund të përmbushin të gjitha kërkesat e tyre përmes industrive të tyre kombëtare të armëve", -tha Pieter Wezeman, studiues i lartë i Programit të Transferimit të Armëve në SIPRI.
"Rritja ose vazhdimi i niveleve të larta të importeve të armëve në vende si Evropa, Azia Lindore, Oqeania dhe Lindja e Mesme kontribuuan në akumulimin shqetësues të armëve", -theksoi Wezeman.
Importuesit më të mëdhenj të armëve në Evropë ishin Britania e Madhe, Norvegjia dhe Holanda në periudhën pesëvjeçare, ndërsa importet e Ukrainës ishin shumë të kufizuara pavarësisht konfliktit të armatosur në rajonin e saj lindor.
Në nivel global, në periudhën 2017-2021, tre importuesit kryesorë të armëve ishin India, Arabia Saudite dhe Egjipti.







