Konflikti Rusi-Ukrainë ka rritur mbështetjen publike në Finlandë për anëtarësimin në aleancën e NATO-s në nivele rekord, bën të ditur sondazhi i porositur nga transmetuesi publik “Yle”, citon “Ansa”.

Sipas sondazhit, 62% e të anketuarve në vendin nordik mbështesin kërkesën për anëtarësim në NATO, krahasuar me 53% në të njëjtin sondazh dy javë më parë.

16% thanë se ishin kundër, ndërsa 21% e mbetur nuk janë të sigurt.

Një total prej 1378 të anketuarish mbi moshën 18 vjeç u intervistuan në internet nga “Taloustutkimus” midis 9 dhe 11 marsit, me një marzh gabimi prej 2.5 pikë përqindje, njoftoi “Yle”.

Finlanda, e cila ndan kufirin më të gjatë tokësor në Bashkimin Evropian me Rusinë, ka mbetur ushtarakisht neutrale që nga fundi i Luftës së Ftohtë për të shmangur provokimin nga Rusia.