
Papa Françesku bëri të dielën komentet më të ashpra të tij deri tani lidhur me sulmin ndaj Ukrainës, duke thënë se agresioni i armatosur i papranueshëm duhet të ndalet, njofton “Zëri i Amerikës”.
Duke folur para mijëra njerëzve në sheshin “Shën Pjetër” në Vatikan në lutjet e tij të së dielës, papa Françesku tha gjithashtu se vrasja e fëmijëve dhe civilëve të paarmatosur ishte një akt barbar dhe pa asnjë arsye të vlefshme strategjike.
Ai e quajti qytetin e rrethuar të Mariupolit, një qytet martir dhe bëri sërish thirrje për korridore humanitare vërtet të sigurta, për të lejuar evakuimin e banorëve.
“Në emër të Zotit ju kërkoj: ndaloni këtë masakër”, -tha papa, duke shtuar se qytetet ukrainase rrezikojnë të kthehen në varreza.
Rusia bën të ditur se veprimi i saj nuk synon pushtimin e territoreve, por për të goditur forcën ushtarake të Kievit dhe për larguar nga pushteti ata që i quan politikanë naonazistë të Ukrainës. Moska zyrtare ka mohuar se ka goditur zonat ku jetojnë civilë.







