Familjeve në Britaninë e Madhe do t’u ofrohen 350 paund në muaj për të hapur shtëpitë e tyre për njerëzit që ikin nga lufta në Ukrainë, njoftojnë mediat britanike.

Skema e qeverisë "Homes for Ukraine" u bën thirrje njerëzve që t’i ofrojnë një dhomë rezervë ose një pronë të zbrazët një refugjati, për një periudhë prej të paktën gjashtë muajsh.

Këshilli i Refugjatëve njoftoi se ishte i shqetësuar për nivelin e mbështetjes për njerëzit e traumatizuar nga lufta.

Më shumë se 2.5 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina për shkak të pushtimit të Rusisë, në atë që OKB-ja e ka quajtur kriza e refugjatëve me rritjen më të shpejtë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Duke shpallur skemën e re, sekretari Michael Gove u bëri thirrje njerëzve që të bashkohen me “përpjekjet kombëtare” dhe t’u japin një shtëpi të sigurt atyre në nevojë.

Nuk do të ketë asnjë kufizim për numrin e refugjatëve që mund të vijnë në Britaninë e Madhe përmes kësaj rruge dhe atyre do t’u jepet tre vjet leje qëndrimi, me të drejtën për të punuar dhe akses në shërbimet publike.

Aplikimet do të bëhen në internet, ku të dy sponsorët do të verifikohen dhe refugjatët duhet të kalojnë kontrollet e sigurisë. Sponsori do të merrte një pagesë falënderimi prej 350 paund në muaj.

Një faqe interneti për njerëzit që të shprehin një interes për të ofruar strehim do të hapet të hënën.

Në një fazë të mëvonshme, organizata të tilla si bamirësi dhe kisha do të jenë në gjendje të bëjnë të njëjtën gjë, megjithëse nuk ka ende një datë fillimi për këtë.