
Afër 13,000 civilë ukrainas janë evakuuar përmes korridoreve humanitare gjatë të shtunës, dhe zëvendëskryeministrja e Ukrainës, njofton “Radio Evropa e Lirë”.
Ky numër i të evakuuarve është pothuajse dyfish më i lartë krahasuar me një ditë më parë. Përmes një mesazhi të postuar online, zëvendëskryeministrja tha se askush nuk ka arritur të largohet nga qyteti i rrethuar i Mariupolit.
Ajo fajësoi forcat ruse për mosevakuimin e banorëve të këtij qyteti, në jug të Ukrainës.
Më herët, Rusia akuzoi forcat ukrainase se me qëllim nuk po lejojnë që qytetarët e Mariupolit të evakuohen.
Njoftimi për evakuimin e 13,000 civilëve vjen në ditën kur në disa qytete ukrainase po zhvillohet luftime të ashpra, përfshirë edhe periferinë e Kievit dhe të Mariupolit.
Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt. Kievi vazhdimisht e ka akuzuar Moskën se nuk po respekton marrëveshjet për evakuimin e civilëve dhe po sulmon caqet civile.







