
Refugjatët ukrainasë pritën për largim në stacionin e trenit të qytetit Odesa, më 9 mars 2022/ VCG
Mbi një milion fëmijë janë larguar nga Ukraina që nga nisja e luftës së Rusisë në vend.
Sipas UNICEF-it, shumica e fëmijëve janë larguar në Poloni, Hungari, Sllovaki, Moldavi dhe Rumani me familjet e tyre, bën të ditur “Anadolu Agency”.
“Numri i fëmijëve në lëvizje është tronditës, një shifër kjo që tregon situatën dëshpëruese të fëmijëve dhe familjeve në Ukrainë”, -tha drejtoresha rajonale e UNICEF-it për Evropën dhe Azinë Qendrore, Afshan Khan, duke shtuar se fëmijët po lënë pas gjithçka që mbajnë mend në kërkim të sigurisë.
Drejtoresha ekzekutive e UNICEF-it, Catherine Russell, njoftoi se të paktën 37 fëmijë kanë humbur jetën dhe 50 të tjerë janë plagosur në më pak se dy javë.
UNICEF ka bërë thirrje sërish për një akses të sigurt, të shpejtë dhe të papenguar humanitar për popullatën në nevojë dhe për kalimin e sigurt të civilëve për të siguruar shërbimet dhe mbrojtjen për të cilat ata kanë nevojë. (Irma)







