Me ndërmjetësimin e Turqisë, u zhvillua në Antalia takimi trepalësh i ministrave të jashtëm të Turqisë Mevlut Çavusoglu, të Rusisë Sergey Lavrov dhe Ukrainës Dmitry Kuleba.

Kryediplomati ukrainas tha se palët ranë dakord të vazhdojnë përpjekjet për të kërkuar një zgjidhje për çështjet humanitare në terren në Ukrainë. Ai u shpreh i gatshëm të takohet sërish në këtë format, nëse ka perspektiva për një diskutim thelbësor dhe për të kërkuar zgjidhje.

Sipas tij, kur takohen dy ministrat e Jashtëm ata kanë mandatin të negociojnë çështjet e paqes dhe sigurisë, raporton “BBC”.

“Jam gati të vazhdoj këtë angazhim me qëllimin për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë, për të ndalur vuajtjet e civilëve ukrainas dhe për të çliruar territoret tona nga forcat pushtuese ruse", -tha Kuleba.

Ndërsa kryediplomati rus deklaroi se më së shumti në takim u diskutua mbi nismën e miqve turq lidhur me çështjet humanitare. Lavrov përsëriti pretendimet ruse se civilët po përdoren si pengje nga ato që ai i përshkroi si të ashtuquajturat forca të mbrojtjes territoriale.

Lavrov theksoi se Rusia po vazhdonte të operonte korridoret humanitare për civilët.

Kryediplomati Lavrov deklaroi se Rusia dëshiron që rruga e vërtetë e negociatave mos të keqpërdoret në asnjë mënyrë dhe theksoi se nga takimi u kuptua se nuk ka asgjë që të zëvendësojë rolin e negociatave. (Irma)