
be, sanksionet, reuters
Bashkimi Evropian miratoi sanksionet e reja që përfshijnë sektorin detar të Rusisë, zyrtarë dhe oligarkë rusë si dhe përjashtimin e 3 bankave bjelloruse nga sistemi SWIFT.
Sipas përfaqësuesit francez në BE, në takimin e mbajtur nga përfaqësuesit e vendeve anëtare të Unionit janë miratuar sanksionet e reja kundër Rusisë dhe Bjellorusisë dhe se këto masa do të hyjnë në fuqi pas publikimit në "Gazetën Zyrtare" të BE-së, transmeton “Anadolu Agency”.
Blloku 27-vendesh po fut në listën e zezë 160 parlamentarë dhe oligarkë të tjerë rusë, po ndalon eksportet e teknologjisë së lundrimit detar në Rusi dhe po përfshinte kripto-asetet nën masat e tij ndëshkuese, deklaroi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, citon “Reuters”.
Me sanksionet e reja, do të bllokohen asetet e disa zyrtarëve, oligarkëve dhe anëtarëve të tyre familjarë të cilët kanë luajtur rol në konfliktin Rusi-Ukrainë. Po ashtu ndaj këtyre personave do të vendoset ndalesë udhëtimi.
Gjithashtu, 3 banka bjelloruse do të përjashtohen nga sistemi ndërkombëtar i transferimit të parave SWIFT.
Në kuadër të kësaj do të pengohet që kriptovalutat të përdoren kundër sanksioneve ndaj Rusisë.
Po ashtu do të ndalohet dërgimi i disa produkteve dhe teknologjive për Rusinë ndërsa do të zbatohen sanksione ndaj sektorit rus të detarisë.
Aktualisht janë 3 paketa sanksionesh që BE-ja ka vendosur në zbatim për shkak të sulmeve të Rusisë ndaj Ukrainës.
BE-ja ka vendosur sanksione kundër Rusisë në fusha të ndryshme si financa, energji, transport, kontroll dhe financim të eksporteve dhe politika e vizave. (Irma)







