Pothuajse 21 milionë njerëz në Jemenin e shkatërruar nga lufta ose gati 70 për qind e popullsisë së përgjithshme, kanë nevojë për ndihmë humanitare për shpëtimin e jetës, njoftoi Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët në një postim në “Twitter”.

"Këtu përfshihen 11.3 milionë fëmijë ose gati 80 për qind e të gjithë fëmijëve", -vuri në dukje UNICEF.

Sipas agjencisë humanitare, në Jemen, gati 400.000 fëmijë nën moshën 5 vjeç po kalojnë nga kequshqyerja akute në kequshqyerje të rëndë akute.

Jemeni është zhytur në një luftë civile që nga fundi i vitit 2014. Kombet e Bashkuara po përpiqen t'i japin fund luftës civile që ka vrarë dhjetëra mijëra njerëz, ka zhvendosur 4 milionë dhe ka çuar vendin në prag të urisë.