Forcat e armatosura ruse njoftuan një armëpushim dhe hapjen e korridoreve humanitare në katër qytete të Ukrainës, duke filluar nga mëngjesi i së hënës, bëri të ditur Ministria ruse e Mbrojtjes, citon “Xinhua”.

“Duke marrë parasysh situatën katastrofike humanitare dhe përkeqësimin e saj të mprehtë në Kiev, Kharkov, Sumy dhe Mariupol, vendimi u mor me kërkesën personale të presidentit francez Emmanuel Macron drejtuar presidentit rus Vladimir Putin”, -thuhet në deklaratën e ministrisë.

Sipas ministrisë, Rusia ka publikuar rrugët e evakuimit nga katër qytetet ukrainase dhe ia raportoi informacionin Kombeve të Bashkuara, Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë dhe Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.

Rusia kërkon që pala ukrainase të krijojë të gjitha kushtet për krijimin e korridoreve humanitare dhe të sigurojë një tërheqje të organizuar të civilëve dhe qytetarëve të huaj.

Qëkur Rusia njoftoi një operacion special ushtarak kundër Ukrainës 12 ditë më parë, të dyja palët kanë pasur dy raunde negociatash në Bjellorusinë fqinje në kërkim të një zgjidhjeje për krizën, pa ndonjë përparim të qartë në të parën dhe një marrëveshje për hapjen e një korridori humanitar për të evakuuar civilët, gjatë të dytit të enjten.