
Foto: VCG
Shtetet e Bashkuara po përgatiten të zgjerojnë sanksionet ndaj oligarkëve rusë, kompanive të tyre dhe anëtarëve të familjes, pas sulmit rus në Ukrainë, raportoi të mërkurën “Washington Post”, përcjell “Reuters”.
Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Thesarit po përgatisin një listë të personave që do t’u shtohen atyre të vendosur nga Bashkimi Evropian të hënën.
Sanksionet mund të përfshijnë kufizime të udhëtimit dhe sekuestrim të aseteve jashtë shtetit që mund të arrijnë në miliarda dollarë.
Masat e SHBA-së nuk do të synonin vetëm individët, por kompanitë që ata zotërojnë dhe anëtarët e familjes, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë për “Washington Post” në kushte anonimiteti.
Në fjalimin e tij, presidenti amerikan Joe Biden tha se Shtetet e Bashkuara do të punojnë për të ndaluar jahtet, apartamentet luksoze dhe avionët privatë të rusëve të pasur që kanë lidhje me shefin e Kremlinit.
BE vendosi të hënën sanksione ndaj 26 rusëve, pas pushtimin të Ukrainës më 24 shkurt, që Rusia e quan një "operacion special", duke përfshirë oligarkë dhe njerëz të biznesit aktivë në sektorët e naftës, bankave dhe financave. Sanksionet prekin edhe anëtarë të qeverisë ruse dhe ushtarakë të nivelit të lartë.







