
Foto: VCG
Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka bërë thirrje për një tranzicion më të shpejtë drejt energjisë së rinovueshme.
"Në vend që të ngadalësojmë dekarbonizimin e ekonomisë globale, tani është koha për të përshpejtuar tranzicionin e energjisë drejt një të ardhmeje të energjisë së rinovueshme", -tha shefi i OKB-së në video-mesazhin e tij në konferencën për shtyp në Gjenevë, të lançimit të një raporti të ri nga Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike (IPCC).
Sipas IPCC, nëse ngrohja nuk kontrollohet, disa nga rajonet më të populluara të planetit do të bëhen të pabanueshme.
Raporti prej 3600 faqesh fokusohet në ndikimet praktike të ndryshimeve klimatike te njerëzit dhe natyra, bën të ditur “Xinhua”.
“Raporti është një atlas i vuajtjes njerëzore dhe një aktakuzë ndaj udhëheqjes së dështuar për klimën”, -tha zyrtari i lartë i OKB-së.
Shefi i OKB-së paralajmëroi se temperaturat mesatare globale tashmë janë rritur me 1.1 gradë celsius, duke lënë shumë pak hapësirë për përmbushjen e objektivave të Marrëveshjes së Klimës së Parisit të vitit 2015.







