Foto:VCG

Foto:VCG

Sanksionet e BE-së kundër Bankës Qendrore Ruse hynë në fuqi pasi u publikuan në Gazetën Zyrtare të BE-së, njoftojnë mediet evropiane.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se sanksionet përfshijnë një ndalim të transaksioneve me institucionin financiar rus.

Të gjitha asetet e bankës në BE do të ngrihen gjithashtu në një përpjekje për të bllokuar financimin e luftës së presidentit rus Vladimir Putin kundër Ukrainës.

Masa konsiderohet po aq serioze sa edhe përjashtimi i planifikuar i institucioneve financiare ruse nga rrjeti bankar SWIFT.

“Sanksionet e BE-së të kombinuara me ato të partnerëve të G7 nënkuptojnë se rreth gjysma e rezervave financiare të Bankës Qendrore Ruse do të ngrijnë”, deklaroi shefi i diplomacisë i BE-së, Josep Borrell.

Sipas ekspertëve, kjo do të thotë se Rusia nuk do të jetë më në gjendje të përdorë zotërimet e saj në valutë të huaj për të stabilizuar rublën.

Monedha ruse tashmë është dobësuar, gjë që do të sjellë vështirësi të mëtejshme për popullin rus.

BE-ja planifikon gjithashtu të vendosë sanksione të mëtejshme kundër aleatit të Rusisë, Bjellorusisë, dhe kundër oligarkëve, biznesmenëve dhe politikanëve rusë.

Në një lëvizje befasuese, presidenti zviceran Ignazio Cassis tha se ishte shumë e mundshme që qeveria e tij të vendoste të ngrijë asetet ruse në vend.

Cassis më parë kishte theksuar neutralitetin zviceran dhe kishte thënë se Zvicra nuk do të vendoste sanksione pavarësisht pushtimit rus të Ukrainës.