
Foto: Visual People
Forcat ruse janë udhëzuar të rifillojnë avancimin e tyre në Ukrainë në të gjitha drejtimet, pasi Ukraina refuzoi të zhvillojë negociata, njoftoi Ministria ruse e Mbrojtjes, njofton “Xinhua”.
Të gjitha njësitë u urdhëruan të kryenin një ofensivë në përputhje me planin e operacionit, tha zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes Igor Konashenkov gjatë një konference.
Presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi të premten ndalimin e operacioneve ushtarake në dritën e negociatave të pritshme me udhëheqjen ukrainase, njoftuan mediat lokale duke cituar zëdhënësin e Kremlinit Dmitry Peskov.
Pala ukrainase tha se Kievi zyrtar refuzoi të negocionte me Rusinë sepse kushtet e propozuara ishin "të papranueshme" dhe ishin "një përpjekje për të detyruar vendin të dorëzohej".
Trupat nga Lugansk kanë avancuar deri në 46 km dhe kanë kapur vendbanimet Schastia dhe Muratovo, ndërsa trupat nga Donetsk kanë avancuar edhe 10 km nga vija e frontit, sipas ministrisë.
Ministria njoftoi se Forcat Ajrore Ruse po mbronin termocentralin bërthamor të Çernobilit së bashku me Gardën Kombëtare të Ukrainës, sipas mediave lokale.
Ndërkohë, nënkryetari i Këshillit të Sigurimit rus Dmitri Medvedev tha se sanksionet aktuale kundër Rusisë mund të jenë një arsye për të rishikuar marrëdhëniet me të gjitha shtetet që i kanë vendosur ato.
Medvedev tha se kjo ishte një arsye për t'i dhënë fund të gjithë dialogut me Perëndimin për stabilitetin strategjik dhe u zotua se sanksionet nuk do të ndryshonin vendimin e Rusisë për të kryer operacionin e vazhdueshëm ushtarak dhe për të mbrojtur Donbasin.
Ai gjithashtu vuri në dukje se Rusia mund t'i përgjigjet në mënyrë simetrike masave të marra kundër qytetarëve dhe kompanive ruse jashtë vendit, përkatësisht duke sekuestruar fondet e të huajve dhe kompanive të huaja në Rusi.







