
Presidenti rus Vladimir Putin zhvilloi biseda telefonike me liderët e Francës, Indisë dhe Iranit, pas fillimit të "operacionit të posaçëm ushtarak" të Rusisë në Ukrainë, njoftoi Kremlini të enjten.
Putin autorizoi të enjten një "operacion të posaçëm ushtarak" në rajonin e Donbasit dhe Ukraina konfirmoi se objektiva ushtarakë në mbarë vendin ishin goditur.
Putini dhe presidenti francez Emmanuel Macron patën një shkëmbim “serioz dhe të sinqertë” pikëpamjesh mbi situatën rreth Ukrainës, sipas Kremlinit.
Udhëheqësi rus dha "shpjegime tërësore të arsyeve dhe rrethanave që çuan në vendimin për të kryer një operacion të posaçëm ushtarak", tha Kremlini.
Ndërsa sipas Pallatit Elize, Macron-i i kërkoi homologut të vet rus të ndërpresë menjëherë operacionet ushtarake në Ukrainë. Presidenti francez i tha Putinit se ai e ekspozoi veten ndaj "sanksioneve masive".
Putini gjithashtu informoi kryeministrin indian Narendra Modi për qëndrimin e Moskës lidhur me çështjen e Ukrainës.
“Duke diskutuar mbi situatën, Putini parashtroi vlerësimet e tij themelore për veprimet agresive të Kievit kundër popullsisë civile të Donbasit, si dhe për politikën destrukive shumëvjeçare të Kievit që synon prishjen e marrëveshjeve të Minskut”, njoftoi Kremlini.
Modi e falënderoi Putinin për sqarimin dhe kërkoi ndihmë për të garantuar sigurinë e qytetarëve indianë që gjenden në Ukrainë.
Kryeministri indian bëri thirrje për një "ndërprerje të menjëhershme të dhunës", u shpreh zyra e Modit në një deklaratë.
"(Modi) ritheksoi bindjen e tij të hershme se mosmarrëveshjet midis Rusisë dhe NATO-s mund të zgjidhen vetëm nëpërmjet dialogut të ndershëm dhe të sinqertë," thuhet në deklaratë.
Modi "bëri thirrje për përpjekje të bashkërenduara nga të gjitha palët për t'u kthyer në rrugën e negociatave dhe dialogut diplomatik," shton më tej deklarata. (Artan)







