
NATO ka aktivizuar planet e saj të mbrojtjes. Shefi i Aleancës Jens Stoltenberg i bëri thirrje Rusisë të ndërpresë menjëherë veprimet ushtarake, të tërheqë forcat e saj nga Ukraina dhe të zgjedhë diplomacinë, raporton “BBC”.
Përmes një deklarate, Stoltenberg tha se Rusia po përdor forcën në përpjekje për të rishkruar historinë dhe për t'i mohuar Ukrainës rrugën e saj të lirë dhe të pavarur.
“Detyra kryesore e NATO-s është të mbrojë të gjithë aleatët. Një sulm ndaj njërit do të konsiderohet si një sulm ndaj të gjithëve”, -tha Stoltenberg.
“Këshilli i Atlantikut të Veriut, organi vendimmarrës i NATO-s, vendosi të aktivizojë planet e tij të mbrojtjes për të mbrojtur kombet e tjera. Kjo do të thotë se NATO do të vendosë forcat e saj të reagimit aty ku nevojiten”, -tha shefi i Aleancës.







