Selia e OKB-së

Selia e OKB-së

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres i kërkoi presidentit rus Vladimir Putin të kthejë trupat menjëherë në Rusi, pasi kreu i Kremlinit njoftoi një operacion ushtarak në Ukrainë.

"Më duhet të them, president Putin: Në emër të njerëzimit ktheni trupat tuaja në Rusi. Në emër të njerëzimit, mos lejoni të fillojë në Evropë ajo që mund të jetë lufta më e keqe që nga fillimi i shekullit", tha ai në selinë e OKB-së në Nju-Jork pas përfundimit të takimit urgjent të Këshillit të Sigurimit për Ukrainën.

Në kohën kur bota po del nga COVID-19 dhe kaq shumë vende në zhvillim duhet të kenë hapësirë për rimëkëmbjen, do të ishte "shumë, shumë e vështirë, me çmimet e larta të naftës, me përfundimin e eksporteve të grurit nga Ukraina dhe me rritjen e normave të interesit të shkaktuar nga paqëndrueshmëria në tregjet ndërkombëtare,” theksoi Guterres.

Tymi i zi nga një aeroport ushtarak në Chuguyev afër Kharkivit, 24 shkurt 2022, Ukrainë.(Foto:VCG)

Tymi i zi nga një aeroport ushtarak në Chuguyev afër Kharkivit, 24 shkurt 2022, Ukrainë.(Foto:VCG)

Duke vënë në dukje se është "momenti më i trishtuar" gjatë mandatit të tij në krye të OKB-së, Guterres i bëri thirrje Putinit të ndalojë konfliktin dhe t'i japë një mundësi paqes.

Presidenti rus Vladimir Putin autorizoi të enjten "një operacion të posaçëm ushtarak" në rajonin e Donbasit dhe pala ukrainase konfirmoi se objektivat ushtarakë në të gjithë vendin ishin sulmuar.

"Planet tona nuk përfshijnë pushtimin e territoreve të Ukrainës. Ne nuk do t'i imponojmë askujt asgjë me forcë," tha Putini në një fjalim televiziv drejtuar kombit, duke vënë në dukje se masa e Rusisë është në përgjigje të "kërcënimeve themelore" të NATO-s, e cila është zgjeruar në Evropën Lindore dhe e ka sjellë infrastrukturën e vet ushtarake më afër kufijve rusë.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky shpalli të enjten gjendjen ushtarake në vend pas operacionit ushtarak të Rusisë.

Sipas Ministrisë ruse së Mbrojtjes, Forcat e Armatosura Ruse po shkatërrojnë "infrastrukturën ushtarake, objektet e mbrojtjes ajrore, aeroportet ushtarake dhe aviacionin e Forcave të Armatosura të Ukrainës" me armë me saktësi të lartë, duke mos vënë nën shënjestër qytetet ukrainase.

Përveç Kievit, edhe disa objektiva ushtarakë në Ukrainën Lindore dhe Jugore u sulmuan të enjten herët në mëngjes, sipas agjencisë së lajmeve “Interfax-Ukraine”.(Artan)