
Kompanitë që u përkasin 63 miliarderëve më të pasur të Francës bëjnë emetim të karbonit të barabartë me gjysmën e popullsisë së vendit.
Në raportin e përgatitur nga zyrat franceze të “Oxfam” dhe organizatës joqeveritare “Greenpeace” janë llogaritur emetimet e gazeve serrë të kompanive në pronësi të 63 francezëve më të pasur.
Në raport thuhet se kompanitë e këtyre miliarderëve emetojnë 152 milionë tonë dyoksid karboni në vit në planet, që është e barabartë me atë që emeton gjysma e popullsisë së Francës, transmeton “Anadolu Agency”.
Emetimet e karbonit të 63 miliarderëve janë më shumë se emetimet totale të karbonit të Danimarkës, Finlandës dhe Suedisë.
Këta persona përfituan më shumë nga politikat e rimëkëmbjes industriale të shpallura nga presidenti Emmanuel Macron kur filloi pandemia Covid-19, thuhet në raport.
Shteti francez transferoi 100 miliardë euro për kompanitë në vend me planin e shpëtimit në shtator 2020.







