
Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe UNICEF akuzojnë kompanitë e qumështit industrial se synojnë gratë shtatzëna dhe nënat e reja me praktika marketingu joetike.
Sipas raportit, mesazhe mashtruese dhe të pabazuara shkencërisht përdoren për të bindur nënat që t’u japin foshnjave qumësht industrial në vend të qumështit të gjirit, bën të ditur “ATSH”.
Kjo industri, sipas OBSH-së, ishte me vlerë 55 miliardë dollarë në vitin 2019. Ndërsa normat e ushqyerjes me gji janë rritur pak gjatë 20 viteve të fundit, të ardhurat e prodhuesve të qumështit formula janë pothuajse dyfishuar në të njëjtën kohë.
“Me këto abuzime janë evidentuar gjashtë kompani të mëdha”, -deklaroi Nigel Rollins i departamentit të OBSH-së, përgjegjës për shëndetin e nënës dhe fëmijës. Ai tha se praktikat e tyre janë të ngjashme, por nuk përmendi kompani individuale.
Raporti thotë se kompanitë kanë infiltruar grupe nënash në mediat sociale për të promovuar qumështin e formulës dhe u kanë ofruar punonjësve shëndetësorë informacione të dyshimta në konferenca ose broshura, të cilat më pas ua kalojnë nënave.
Ky informacion i rremë përfshinte pretendime se foshnjat flenë më gjatë me qumësht industrial dhe se qumështi i gjirit humbet cilësinë me kalimin e kohës dhe se disa produkte mund të parandalojnë alergjitë.
Sipas OBSH-së, ushqyerja me gji për muajt e parë të jetës ka përfitime gjatë gjithë jetës, duke përfshirë uljen e rrezikut të sëmundjeve kardiovaskulare, obezitetit dhe diabetit, si dhe reduktimin e rrezikut të kancerit të gjirit te nënat.







