Anglia do t’u japë fund të gjitha kufizimeve në kuadër të pandemisë më 1 prill. Kryeministri britanik, Boris Johnson u ka thënë ligjvënësve se personat e infektuar nuk do të kenë më detyrim ligjor për t’u izoluar, teksa ka prezantuar planin “e jetesës me Covid”, bën të ditur “Radio Evropa e Lirë”.

Prej 1 prillit, ofrimi i testeve falas do të bëhet vetëm për personat më të cenuar.

Mirëpo Asociacioni i Mjekëve Britanikë njoftoi se plani nuk mbron ata që rrezikohen më shumë nga ky virus.

Sipas partive opozitare, vendimi i kryeministrit për të dalë nga pandemia është shumë i shpejtë.

Për Johnson, vendi e ka kaluar pikun e infektimeve me variantin Omikron dhe tani raportohet për rënie të numrit të rasteve dhe të personave në spitale.