
Dhjetëra persona me aftësi të kufizuara organizuan një protestë në Jalalabad, kryeqyteti i provincës lindore Nangarhar të Afganistanit të martën, duke u kërkuar Shteteve të Bashkuara të kthejnë asetet afgane.
Protestuesit e përshkruan si të padrejtë ngrirjen e aseteve të Afganistanit në bankat amerikane ose dhënien e tyre si kompensim për familjet e viktimave të sulmeve terroriste të 11 Shtatorit, duke thënë se Uashingtoni zyrtar duhet t'i kthejë asetet në Afganistan, bën të ditur “Xinhua”.
Shtetet e Bashkuara pas tërheqjes së plotë të forcave nga Afganistani në gusht të vitit të kaluar, kanë ngrirë rreth 10 miliardë dollarë asete të Bankës Qendrore të Afganistanit, duke çuar në përkeqësimin e problemeve ekonomike dhe varfërisë në vendin e shkatërruar nga lufta.
Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden, në një dekret të lëshuar më 11 shkurt, ndau 3.5 miliardë dollarë nga shuma për familjet e viktimave të sulmeve terroriste të 11 shtatorit dhe gjithashtu devijoi 3.5 miliardë dollarë më shumë për afganët si ndihmë humanitare pa pëlqimin e administratës afgane të drejtuar nga talebanët.
Shefi i Sindikatës së Personave me Aftësi të Kufizuara, Masoud Safi, tha në fjalimin e tij gjatë protestës asnjë afgan nuk ishte i përfshirë në sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 në Amerikë dhe për këtë arsye ndarja e aseteve të Afganistanit për familjet e viktimave të sulmeve terroriste është e padrejtë.
Afganët, duke mbajtur protesta të ngjashme në qytete të ndryshme gjatë javës së kaluar, kanë kërkuar lirimin dhe kthimin e aseteve në Afganistan.







