Në bursat ndërkombëtare nafta arriti nivelin më të lartë që nga viti 2014 të martën. Rritja erdhi pasi tensionet midis Rusisë dhe Ukrainës u përshkallëzuan, teksa Moska zyrtare dërgoi trupa në dy rajone të shkëputura në Ukrainën Lindore. Kjo situatë shtoi shqetësimet e furnizimit, duke i shtyrë çmimet në afërsisht 100 dollarë për fuçi, raporton “Reuters”.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre evropianë janë gati të shpallin sanksione të reja kundër Rusisë pasi presidenti Vladimir Putin njohu zyrtarisht dy rajonet në Ukrainën Lindore, duke përshkallëzuar një krizë sigurie në kontinent.

Nafta e papërpunuar “Brent”, që është një normë reference globale, u rrit me 3.38 dollarë ose 3.5%, në 98.77 dollarë.

Duke pasur parasysh situatën mbizotëruese, çmimet e naftës me shumë gjasa mund të rriten në treshifrorë.

Kriza mbi Ukrainën është një element shtesë që ka ndikuar në shtrenjtimin e naftës, që edhe më parë po reflektonte ofertën e kufizuar në një kohë që kërkesa rimëkëmbet pas pandemisë së koronavirusit.