Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, e konsideron vendimin e Rusisë për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donetsk dhe Luhansk, si shkelje të integritetit territorial dhe sovranitetit të Ukrainës.

Stephanie Dujarric, zëdhënësi i Guterres, u tha gazetarëve se vendimi i Rusisë nuk është në përputhje me parimet e Kartës së OKB-së, transmeton “Anadolu Agency”.

Dujarric shtoi se sekretari i përgjithshëm është shumë i shqetësuar dhe bën thirrje për zgjidhje paqësore të konfliktit në Ukrainën lindore në përputhje me Marrëveshjet e Minskut.

“OKB, në përputhje me rezolutat përkatëse të Asamblesë së Përgjithshme, mbetet plotësisht në mbështetje për sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës, brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht”, -tha Dujarric.

Më tej, ai tha se Guterres u kërkon të gjithë aktorëve përkatës që të përqendrojnë përpjekjet e tyre në sigurimin e ndërprerjes së menjëhershme të armiqësive, në mbrojtjen e civilëve dhe infrastrukturës civile, duke parandaluar çdo veprim dhe deklaratë që mund të përshkallëzojë më tej situatën e rrezikshme brenda dhe rreth Ukrainës dhe duke i dhënë përparësi diplomacisë për të adresuar të gjitha çështjet në mënyrë paqësore.