Rusia, Ukraina, hellogmb

Rusia, Ukraina, hellogmb

Rusia hodhi poshtë si dezinformim pretendimin e Britanisë se Moska zyrtare synon të instalojë një udhëheqës pro-rus në Ukrainë nëse do të ndodhte një konflikt ushtarak midis fqinjëve, shkruan “China Daily”.

“Dezinformimi i qarkulluar nga Ministria e Jashtme britanike është një tjetër tregues se janë anëtarët e NATO-s të udhëhequr nga kombet anglo-saksone ata që po përshkallëzojnë tensionet rreth Ukrainës. I bëjmë thirrje kryediplomacisë britanike të ndalë aktivitetet provokuese”, -bëri të ditur Ministria e Jashtme e Rusisë në një postim në “Twitter”.

Ministria e Jashtme britanike kishte thënë më herët se udhëheqja ruse po shqyrton mundësinë e instalimit të një qeverie pro-ruse në Ukrainë dhe se, në këtë skenar, ish-ligjvënësi ukrainas Yevhen Murayev mund të kryesojë kabinetin.

Ministria e Jashtme britanike nuk pranoi të sigurojë prova për të mbështetur akuzat e saj, të cilat vijnë në një kohë të tensioneve të larta midis Rusisë dhe Perëndimit lidhur me grumbullimin e trupave ruse pranë kufirit të saj me Ukrainën. Rusia ka këmbëngulur se nuk ka plane për të pushtuar.

Më herët, agjencia e lajmeve “RIA” raportoi se sekretarja e Jashtme britanike Elizabeth Truss do të vizitojë Moskën këtë muaj për të takuar homologun e saj rus Sergey Lavrov.

Pretendimet britanike vijnë një ditë pasi diplomatët e lartë nga Shtetet e Bashkuara dhe Rusia nuk arritën të bëjnë ndonjë përparim në bisedimet për zgjidhjen e krizës mbi Ukrainën, megjithëse ata ranë dakord të vazhdonin bisedimet.

Rusia ka bërë kërkesa për sigurinë ndaj SHBA-së, duke përfshirë ndalimin e zgjerimit të NATO-s drejt lindjes dhe një zotim se Ukraina nuk do të lejohet kurrë të bashkohet me aleancën ushtarake perëndimore.