
Ministria e Jashtme ruse kritikoi Departamentin amerikan të Shtetit për publikimin e një fletë faktesh plot me informacione të rreme në lidhje me politikën e Rusisë ndaj Ukrainës, shkruan “Xinhua”.
Ministria ruse në një koment e quajti fletën "një provokim të hapur" nga Uashingtoni zyrtar për të publikuar "Faktet kundër trillimeve: Dezinformata ruse për Ukrainën" vetëm një ditë përpara se ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov dhe sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken të takoheshin në Gjenevë ditën e premte.
Ministria e Jashtme ruse dha përgënjeshtrimin nen për nen në fletën e informacionit të SHBA-së, duke thënë se që nga 15 dhjetori 2021, kur Rusia i dërgoi zyrtarisht SHBA-së projekt-traktatin dhe marrëveshjen e saj për garancitë e sigurisë, pala amerikane ka bërë kryesisht përpjekje të dukshme për të zvarritur diskutime në nivele ekspertësh dhe në formate të ndryshme.

Sipas ministrisë, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj perëndimorë kanë nisur një fushatë shumë toksike informacioni dhe propagande, duke e përshkruar Rusinë si një agresor, një armik të Evropës së qytetëruar dhe një kërcënim për stabilitetin ndërkombëtar.
Negociatat Lavrov-Blinken në Gjenevë të premten përfunduan pa përparime në vendosjen e garancive ligjërisht të detyrueshme të sigurisë midis Rusisë dhe Perëndimit, me krizën ukrainase si një çështje thelbësore.







