Rusia duhet të sigurojë prova se nuk ka ndërmend të pushtojë Ukrainën. Kështu deklaroi sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken gjatë bisedimeve në Gjenevë me ministrin e Jashtëm rus Serghei Lavrov, të cilat u vlerësuan si të sinqerta dhe thelbësore.

“Shtetet e Bashkuara do të reagojnë për çdo agresion të Rusisë, qoftë edhe joushtarak”, -nënvizoi kreu i diplomacisë amerikane, raportojnë mediet botërore.

“Rusia pret përgjigje me shkrim nga SHBA-ja ndaj kërkesave të saj javën e ardhshme”, deklaroi ministri i Jashtëm Serghei Lavrov, duke shtuar se Rusia nuk e ka kërcënuar kurrë popullin ukrainas.

Lavrov tha se SHBA-ja ka rënë dakord të japë përgjigje me shkrim ndaj garancive të sigurisë të Rusisë javën e ardhshme, raporton agjencia e lajmeve “Interfax”.

“Antony Blinken më tha se është i kënaqur me shkëmbimin e mendimeve që kanë ndodhur, se do t'i ndihmojë ata javën e ardhshme të paraqesin përgjigjen e tyre me shkrim, siç është theksuar shumë herë”, -tha Lavrov pas bisedimeve në Gjenevë. (Irma)