Foto: VCG

Foto: VCG

Qasja e barabartë te vaksinat kundër koronavirusit është mënyra më e mirë për t’i dhënë fund fazës aktuale të pandemisë së koronavirusi. Është ky qëndrimi i ekspertëve kyçë të shëndetit publik në botë, në një panel të mbajtur në Davos të martën.

Duke folur për dallimet në vaksinim, në konferencën virtuale të Forumit Ekonomik Botëror, drejtori për Emergjenca në Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Mike Ryan, tha se më shumë se gjysma e popullsisë së botës ka marrë dy doza të vaksinës anti-Covid, mirëpo vetëm 7 për qind e popullsisë është vaksinuar plotësisht në Afrikë, bën të ditur “Radio Evropa e Lirë”.

“Problemi është që ne jemi duke lënë mbrapa hapësira të mëdha të botës. Mirëpo vaksinat janë tejet të rëndësishme. Nuk ka mënyrë për të dalë nga pandemia pa vaksina”, -theksoi Ryan.

Zbulimi i variantit Omikron në Afrikën e Jugut ka rritur pretendimet se shkalla e ulët e vaksinimit mund të inkurajojë mutacion të virusit dhe përhapje në vende të tjera të botës.

John Nkengasong, drejtor i Qendrave Afrikane për Kontrollin e Sëmundjeve, tha se është e papranueshme që Afrika ka mbetur mbrapa shteteve të tjera sa i përket vaksinimit dhe e ka cilësuar këtë situatë si dështim të bashkëpunimit global dhe solidaritetit. (Elona)