Foto: VCG

Foto: VCG

NATO dhe Ukraina nënshkruan marrëveshje për bashkëpunimin e zhvilluar teknologjik pas sulmeve kibernetike ndaj institucioneve ukrainase, transmeton “Anadolu Agency”.

Sipas një deklarate nga NATO, me dokumentin e nënshkruar u përditësua memorandumi i mirëkuptimit, i cili parashikon vazhdimin e bashkëpunimit për projektet teknologjike mes dy vendeve.

Në kuadër të marrëveshjes, ekspertët e NATO-s kryejnë "Iniciativën e Ndarjes së Informacionit" që parashikon ndarjen e praktikave të NATO-s në zhvillimin e aftësive në komandë, kontroll, komunikim dhe sisteme kompjuterike.

Drejtori i përgjithshëm i Agjencisë së Komunikimeve dhe Informacionit të NATO-s, Ludwig Decamps, i cili nënshkroi marrëveshjen, tha se me marrëveshjen e rinovuar do të thellohet mbështetja që NATO i jep Ukrainës për modernizimin e teknologjive dhe shërbimeve të komunikimit.

Ai theksoi se do të përcaktojnë se në cilat fusha do të trajnohet personeli i Ukrainës. Marrëveshja e parë që parashikon bashkëpunimin teknologjik mes NATO-s dhe Ukrainës u nënshkrua në vitin 2015. Në kuadër të kësaj marrëveshjeje po zhvillohet edhe një program për sigurimin e koordinimit dhe paralajmërimit të hershëm për sigurinë e hapësirës ajrore të Ukrainës.

Disa institucione shtetërore, përfshirë Ministrinë e Jashtme të Ukrainës, u përballën me sulme kibernetike. Ukraina pretendon se pas sulmeve qëndron Rusia. (Elona)