
Foto: VCG
Kombet e Bashkuara dhe agjencitë e tyre janë duke përgatitur ndihma për kombin e largët ishullor të Paqësorit Jugor, Tonga, pas shpërthimit të vullkanit Hunga Tonga-Hunga Ha'apai.
"Kolegët tanë humanitarë raportojnë dëme të konsiderueshme infrastrukturore rreth Tongatapu (ishullit kryesor) dhe asnjë kontakt nga grupi i ishujve Ha'apai", -tha Stephane Dujarric, zëdhënësi kryesor i shefit të OKB-së Antonio Guterres. "Ne jemi veçanërisht të shqetësuar për dy ishuj të vegjël, Mango dhe Fonoi, pas fluturimeve të vëzhgimit që konfirmojnë dëme të konsiderueshme pronësore".
Australia dhe Zelanda e Re kryen fluturimet gjatë fundjavës.
Ndërsa nuk kishte raporte të menjëhershme për viktima ose lëndime pas shpërthimit masiv të së shtunës, dy persona u raportuan të zhdukur, citon “Xinhua”.
Zëdhënësi i OKB-së tha se Programi Botëror i Ushqimit po harton përpjekjet për furnizime ndihmash dhe staf. Agjencia po dërgon grupin e saj të komunikimeve emergjente për të ndihmuar në rivendosjen e linjave të komunikimit në Tonga.
Zëdhënësi tha se Fondi i OKB-së për Fëmijët pret konfirmimin e qeverisë përpara se të transportojë furnizimet e paracaktuara emergjente nga magazinat e Fixhit dhe Brisbane, Australi.
Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) njoftoi se cunami që ndodhi si pasojë e shpërthimit masiv ka sjellë dëme të mëdha në plazhet perëndimore të Tongatapu, me disa vendpushime dhe shtëpi të shkatërruara ose të dëmtuara rëndë.
Qeveria e Zelandës së Re dhe ajo australiane njoftuan fonde urgjente për përgjigjen e menjëhershme të ndihmës dhe Australia po përgatit një anije me furnizime për të lundruar në Tonga. (Elona)







