Foto: VCG

Foto: VCG

Ndërsa ministrja gjermane e Punëve të Jashtme, Annalena Baerbock, po përgatitet për udhëtimin e saj të parë në Ukrainë, ambasadori ukrainas në Berlin i kërkoi asaj që t’i përmbahej premtimit për dërgesat e armëve në vend, shkruan “DPA”.

Ambasadori Andrei Melnyk tha se ngurrimi lidhur me furnizimin e Ukrainës me armë nga kryediplomatja gjermane dhe pjesa tjetër e qeverisë së re të qendrës së majtë të Gjermanisë ishte shumë zhgënjyese, duke pasur parasysh grumbullimin e forcave ruse në kufi.

“Populli ukrainas është shumë i zhgënjyer. Tani është momenti i së vërtetës se kush është një mik i vërtetë”, -tha Melnyk.

Ambasadori Melnyk tha se, ukrainasit janë të vetëdijshëm se koalicioni gjerman ka rënë dakord për një politikë kufizuese të eksportit të armëve që nuk lejon dërgimin e armëve në zonat e krizës.

“Por, ky dokument politik nuk është një bibël. Dhe bota aktualisht po përballet me rrezikun e një lufte të madhe në mes të Evropës, më e keqja që nga viti 1945”, -tha ai, duke shtuar se shtetësia e Ukrainës kërcënohet nga presidenti rus Vladimir Putin, dhe ukrainasit kanë të drejtën e shenjtë për vetëmbrojtje.

Ukraina ka kërkuar prej vitesh që Gjermania të furnizojë me armë vendin në mënyrë që të mbrohet kundër një sulmi të mundshëm rus, deri më tani pa sukses. (Fatosi)