
Trupat e udhëhequra nga Rusia, të dislokuara në Kazakistan për të ndihmuar qeverinë në rivendosjen e rendit, pas trazirave të dhunshme javën e kaluar, kanë filluar operacionet e tërheqjes. Lajmi është bërë i ditur nga Ministria ruse e Mbrojtjes, raportojnë mediet botërore.
Presidenti i Kazakistanit, Kassym-Jomart Tokayev, deklaroi se trupat nga aleanca CSTO e udhëhequr nga Rusia kanë përfunduar me sukses misionin e tyre kryesor dhe kanë nisur largimin nga vendi.
Sipas tij, rreth 2000 ushtarët e dërguar nga Rusia dhe aleatët e saj gjatë trazirave dramatike të javës së kaluar, do të kryejnë një tërheqje graduale që do të zgjasë jo më shumë se dhjetë ditë.
Trupat ruse u dislokuan në Kazakistan pas protestave të dhunshme, ku mbi 150 persona humbën jetën, ndërsa qindra të tjerë u plagosën.
Protestat në Kazakistan nisën pas rritjes së çmimit të karburanteve dhe kulmuan me dorëheqjen e qeverisë. (Irma)







