Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar qeveritë, duke vënë në dukje se vaksinimi i detyrueshëm anti-Covid duhet të jetë zgjidhja e fundit gjatë pandemisë.

“Shumë persona që hezitojnë të bëjnë vaksinën duhet të marrin përgjigje rreth pyetjeve të tyre”, -tha drejtori ekzekutiv i Programit të Emergjencave Shëndetësore të OBSH-së, Mike Ryan, përcjell “ATSH”.

Ryan bëri thirrje që autorizimet e vaksinave të jenë të qarta dhe të kufizuara në kohë. Sipas tij, ato gjithashtu duhet të shoqërohen me një sqarim ku komunikohet rreziku i tyre.

“Ne i shohim autorizimet si mjetin e fundit përballë një epidemie të madhe në të cilën ne e dimë se vaksinat do të shpëtojnë jetë”, -tha Ryan, duke dhënë si shembuj shpërthimet e varianteve Delta dhe Omicron.

“Qeveritë duhet të marrin në konsideratë përfitimet e vaksinimit kundër përçarjes së çdo të drejte ose lirie individuale”, -theksoi ai. (Irma)